Random Video

PDSH-ja, çekiç BDI-së për të rrënuar Car Dushanin

2015-08-21 1 Dailymotion

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk do të lejojë që me paratë e taksapaguesve shqiptarë në shesh të Shkupit të vendoset përmendorja e një mbreti kontrovers i cili ka vrarë dhe prerë shqiptarë. Kështu u shpreh deputetja e BDI-së Ermira Mehemti, për të shtuar se pjesëmarrja e funksionarëve të lartë të BDI-së në momentin e tentativës për ta rrënuar përmendoren në fjalë ka pasur për qëllim të mbajë situatën nën kontroll e cila sipas saj lehtë mund të përshkallëzonte. Por, veprimet e BDI-së, PDSH-ja i cilëson si tallje ndaj inteligjencës së shqiptarëve. Sipas Bekim Fazliut, veprimet e funksionarëve të BDI-së për rrënimin e përmendores së Car Dushanit janë vetëm për të përfituar pikë politike.

"Asnjë shqiptar, BDI-ja më së paku do të pranojë ndonjëherë që me mjete me paratë e tatim paguesve shqiptarë të vendoset një figurë e cila ka prerë shqiptarë dhe atë hiç më pak se në sheshin e Shkupit. Një javë është kërkuar llogari, përgjegjësi dhe informacion kush e vendosi, pse e vendosi dhe kush e porositi këtë përmendore. Kur nuk ka përgjigje në këto pyetje themelore sigurisht se nuk mund të garantoni se gjërat do të rrjedhin natyrshëm apo në mënyrë paqësore. Nëse ky ishte një akt vandal ose jo është çështje interpretimi. Për shembull kur rrënohet përmendorja e Leninit në Kiev ne themi se kjo qenka betejë për demokraci dhe liri. Përse atëherë tentimi për të rrënuar një mbret kontrovers dhe problematik i cili ka vrarë e ka prerë shqiptarë të quhet vandalizëm. Është çështje interpretimi dhe në këtë rast bëhet interpretim i pastër etnik dhe joparimor", tha Ermira Mehmeti, BDI.

"Mundohen të manipulojnë dhe të përfitojnë, paramendoni pikë politike në skandalet që i krijojnë vetë ata. Dhe kësisoj organizojnë aksione të tipit 'tokmak' kurse për të rrënuar këtë përmendore. E kur jemi te aksioni tokmak, qytetarët sot mu lutën mua që t'ua dorëzoj ë tokmakun e BDI-së dhe më thanë, jepja këtyre të BDI-së dhe bëja me dije se me këshilloi tokmaku, nuk mund të bëjnë dhe nuk mund të rrëzojnë Car Dushanin. Këtë tokmak më thanë t'ia jap peshqesh nënkryetares së Kuvendit Suzana Salihu që ta përdor te Car Trajko që nuk e kanë lejuar deri tani të udhëheq asnjë sekondë me seancat e këtij Kuvendi", u shpreh Bekim Fazliu, PDSH.

I pyetur nga mediat rreth përmendores së Car Dushanit, përfaqësuesi i LSDM-së Oliver Spasovski, tha se rreth kësaj çështje duhet të flasë Gruevski dhe Jankullovska.

"Atë pyetje mendoj se duhet t'ia drejtoni Gruevskit, Jankullovskës, Nikolla Todorovit të cilët në momentin kur janë marrë vesh për një aktivitet të tillë, se si dhe në çfarë mënyrë e kanë miratuar, duhet të japin përgjigje se pse është bërë një gjë e tillë në Republikën e Maqedonisë pa bazë ligjore", deklaroi Oliver Spasovski, LSDM.

Vendosja e përmendores së Car Dushanit vazhdon të mbetet enigmë. Deri tani asnjë përgjigje rreth asaj porositësit, financuesit dhe atyre që vendosë këtë përmendore. Bedri Rexhallari