Random Video

A1 Report - Debate Braçe-Leskaj per ligjin per KLSH ne komisionin e ekonomise

2015-08-22 5 Dailymotion

TIRANE - Ligji i ri për Kontrollin e Lartë të Shtetit ka sjellë debate dhe polemika në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, në lidhje me kompetencat e shtuara audituese që kërkohen nga ky institucion. Debatet mes kryetarit të Komisionit, deputetit Erjon Braçe dhe kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj, kishin në thelb mostejkalimin e kompetencave audituese mbi institucionet shtetërore, jashtë asaj çka parashikon kushtetuta.

Por kreu i KLSH-së, Leskaj, i mbronte propozimet e tij me pretendimin se, këto kompetenca janë te institucionet e vendeve perëndimore ku ekziston Gjykata e Llogarive.

"Në rast se ne kemi 70% zbatimin e masave për drejtuesit e lartë në administratën shtetërore atëherë ky tregues është shumë i ulët. Padyshim që brenda dy viteve do vijë koha që unë do vij tek ju me një projekt për ta kaluar KLSH-në në Gjykatë llogarie." është shprehur kreu i KLSH-së Bujar Leskaj.

"Ti ke të drejtë të audiosh por në përputhje me ligjin për dokumentat e klasifikuar, në përputhje me ligjin për të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale, me ligjin për procedurat tatimore për Republikën e Shqipërisë, sepse kjo që keni sjëllë ju që kërkoni të shkoni deri tek personat fizikë, subjekte private nuk mund të miratohet." tha deputeti i PS, Braçe.

"Unë nuk kërkoj dhe nuk kam kërkuar asnjëherë të shkoj të auditor tek subjektet private." shtoi Leskaj.

Debatet janë ndalur specifikisht për auditimet mbi procedurat tatimore dhe mbi koncesionet tek privatët, ku për këtë të fundit Komisioni e hodhi poshtë propozimin e Leskajt.

"Unë kërkoj të auditoj vlerësimin tatimor që asnjë drejtor i përgjithshëm i tatimeve, asnjë ministër i tatimeve, nuk mund të pengojë KLSH të auditojë procesin e të ardhurave publike. Urdhëro çfarë përgjigje ti them kryetarit të një dege tatimore, drejtori rajonal i vënë tani nga rilindja, dhe ata më përpara njësoj kanë qenë. Në programin e paraqitur, më drejtohet mua si kryetar i KLSH-së, auditim juaj bie në kundërshtim me ligjin: dejtoria rajonale tatimore nuk jep informacione që kanë të bëjnë me tatimpaguesin." tha më tej Leskaj.

"Në qoftë se ne do të bëjmë shtetin që të varet thjesht dhe vetëm nga vullneti jot në raport me vartësit e tua, këtu kemi dyshime shumë të mëdha. Se nuk mund të mbetet etika e një institucioni të tërë vetëm tek një njeri." ka replikuar deputeti Braçe.

Prej dy javësh komisionet parlamentar kanë marrë në shqyrtim projektligjin e ri për KLSH-në, ku sipas propozimeve të këtij institucioni kërkohen kompetenca më të zgjeruara për auditimet e institucioneve shtetërore.