Random Video

Zhbllokohet buxheti i Tiranës, Bashkia një javë kohë për rishikim

2015-08-22 1 Dailymotion

Këshilli bashkiak i Tiranës mes debateve votoi për rishikimin e dëmshpërblimeve për shpronësimet që preken nga projekti i zgjerimit të Bulevardit dhe lumit të Tiranës. Gjithça nisi pas një letre të prefektit,Sadi Vorpsi, i cili kërkonte që shifrat e vendosura në projektin fillestar të rishikohen, pasi ka shumë pakënaqësi. Por për nënkryetarin e Bashkisë, Eno Bozdo, ky ishte një akt i pastër bllokimi politik dhe i paprecendent.

"Doni ta lini Tiranën pa buxhet deri në fund të vitit?!Unë po them se jemi gati ta rikorrigjojmë, në bashkëpunim me ju por duhet të jemi edhe ne sepse juridikisht propozimi vjen nga ne dhe kur vjen këtu zotërinj nuk mund të vijë një buxhet i zhbalancuar, nuk është buxhet faktik që mund ë dalë me sufiçit apo deficit, është një projekt -- buxhet, është i propozuar dhe siç u propozua nga ne dhe u korrigjua në bashkëpunim me palët, mund të ndjekim përsëri të njëjtën rrugë kompromisi. Pse nuk doni të bëjmë një gjë të tillë, çfarë ndryshon sot që futet papritur, gati fshehtas dhe me forcë nga një javë më tutje, ku mund të gjejmë kompromisin e të gjithëve?! Mjafton t'u themi qytetarëve se jemi për atë buxhet dhe zgjidhjen mund ta gjejmë. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë këtu ka tjetër lloj arsyetimi. Për çfarë? Më ke propozuar diçka, më ke lënë kohën për të marrë në shqyrtim, keni diçka të shkruar, çfarë mund të themi, jemi duke u tallur? Këtu jemi në Këshill, e dini më mirë se unë dhe punohet me procedurë, me propozime, punohet duke respektuar ligjin dhe punohet edhe duke pasur nderin në radhë të parë dhe nderi thotë se para dy muajsh e kemi votuar këtë projekt-buxhet, sot po riktheheni dhe po hani edhe nderin, edhe votën. Kjo nuk është mirë, ndaj ju bëj thirrje edhe njëherë tjetër"tha ai.

Por pavarësisht kundërshtimeve të Këshilltarëve të djathtë, kryetari i Këshillit Aldrin Dalipi hodhi në votë kërkesën e parashtruar nga grupi i mazhorancës. Kërkesa kaloi dy herë në votim, pasi herën e parë nuk u arrit korumi i nevojshëm dhe në fund kërkesa për rishikim u miratua me 29 vota pro.

Mbledhja e Këshillit bashkiak u parapri nga protesta të banorëve që preken nga shpronësimi, të cilët shprehën sërish pakënaqësinë për vlerësimin e ulët që Bashkia u ka bërë pronave të tyre.

Gjatë mbledhjes së sotme Këshilli bashkiak miratoi me konsensus dhënien e banesave me qera. Projektvendimi që kaloi me votat e të gjithë këshilltarëve, të majtë dhe të djathtë përcakton që qiratë të fillojnë nga 3940 lekë në muaj deri në 18.620 lekë në muaj, kjo në varësi të tipit të apartamentit dhe të ardhurave të familjeve.

Në total bëhet fjalë 385 apartamente të përfunduara që në vitin 2011 në zonën e Shkozës, por që bashkia e Tiranës pretendon se i ka marrë në dorëzim vetëm dy muaj më parë.