Random Video

Report TV - Ahmetaj: Për Byronë e Hetimit presim Komisionin e Venecias

2016-02-05 0 Dailymotion

TIRANE - Qeveria nuk do të bëjë asnjë hap tjetër sa i përket ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit pa marrë më parë vlerësimin përfundimtar të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese. Ishte ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj i cili pas një takimi prej mëse dy orësh të krerëve të aleancës së majtë, tha se për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me reformimin e sistemit të drejtësisë, do të pritet përgjigja përfundimtare e institucionit të pavarur të Venecias, Komision i cili pritet të shprehet në 12 mars.

"Për reformën në drejtësi është rakorduar për të pritur vlerësimin nga Venecia. Do të pritet Venecia për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi", u shpreh Ahmetaj në përfundim të takimit.

I pyetur nga gazetarët nëse është diskutuar mes aleatëve se Byroja e Hetimit do të jetë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë apo nëse do të ndiqet modeli rumun ku ky institucion është tërësisht i pavarur, Ahmetaj nuk dha një përgjigje duke theksuar edhe njëherë se do të pritet vlerësimi që Komisioni i Venecias do t'i bëjë draftit të hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë në vendin tonë për reformën në drejtësi.

"Diskutuam në parim, për reformën në drejtësi do të priten vlerësimet e Venecias", tha ai.

Takimi i "njësisë së koordinimi të koalicionit" u bashkëdrejtua nga kryeministri Edi Rama dhe kryeparlametari Ilir Meta, që ashtu si çdo të premte u mblodhën në ish-vilën qeveritare 30.