Random Video

Report TV - Basha refuzon ftesën e Ramës për dialog: Tryezë me kusht

2016-03-31 0 Dailymotion

Lulzim Basha pranon të ulet në tryezë me Edi Ramën vetëm nëse dorëzohen në Gjykatën Kushtetuese dy deputetët Suli dhe Leskaj. Përgjigja për letrën e kryeministrit ka ardhur mbrëmjen e së enjtes ku lideri i opozitës kushtëzon dialogun.

?Ndaj ftesa juaj merr kuptim vetëm nëse pala juaj e pranon këtë parim ashtu si opozita, siç e pranon çdo kusht me mendje të shëndoshë, dhe për këtë jepni paraprakisht provën e domosdoshme ? atë të zbatimit të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 70/4 të Kushtetutës", thuhet në letrën e kreut të PD.

Në korrespondencën me kryeministrin Rama, Lulzim Basha rendit rastet kur ka kërkuar dialog me shefin e mazhorancës por nuk ka gjetur bashkëpunimin e tij. Ndaj ftesa e Edi Ramës konsiderohet e vonuar.

"Si gjithmonë, jam i gatshëm të takohemi për çështjet më të rëndësishme: zbatimi pa pengesa i dekriminalizimit, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e te ndershme, vijimi i duhur i reformës në drejtësi dhe çështje të tjera të rëndësishme përfshirë një reformë te plotë Kushtetuese; Ndërsa nuk mund të takohemi assesi për të diskutuar opsione antikushtetuese me vetëdijen se mund të mos biem dakord dhe antikushtetutshmëria të vazhdojë si normalitet. Një forum i këtillë nuk është asfare përmasë civilizimi por e kundërta e tij", ka theksuar kryetari i PD, Basha.

Më herët në një prononcim për mediat, shefi i selisë blu deklaroi se nuk ishte njohur me letrën e rivalit, por kurrsesi nuk do t'i mbyllte dyert dialogut. Disa orë më vonë, kryetari demokrat ndryshon qëndrim, duke kushtëzuar edhe tryezën e dialogut të nivelit të lartë, të kërkuar me ngulm nga demokratët, me mandatet e deputetëve Suli e Leskaj, dekriminalizimi e zgjedhjet e lira e të ndershme.